Pse lindi “Gjimnazistet.al”

  • Kërkesa e tregut për specialistë të profileve shkencore: matematicienë, inxhinierë, IT, programues etj
    Nga analiza e Maturës Shtetërore 2015, rezulton se numri i maturantëve që zgjedhin të japin si provim me zgjedhje një lëndë të karakterit shoqëror është disa herë më i madh se numri i maturantëve që zgjedhin një lëndë shkëncore. Një raport numerik ky, që shkon në kah të kundërt me nevojat reale të tregut të punës në vend.
  • Vështirësitë që hasin gjimnazistët në shkollë në marrjen e një formimi solid në lëndët shkencore
    Gjatë gjithë jetës sime shkollore, mësuesit e mi të lëndëve ekzakte (sidomos ato të fizikës dhe të matematikës) impenjoheshin shumë dhe kishin aftësinë për të shpjeguar thjesht qoftë dhe konceptet më të vështira.
    Por a i gëzojnë karakteristikat e mësipërme të gjithë mësuesit e matematikës së shkollave të mesme?
    Si ndikon ky fakt në formimin e gjimnazistëve sot dhe në orientimin e tyre profesional nesër?
  • Çmimet e “kripura” të kurseve private
    “Ata na shfrytëzojnë për shkak të nevojave që ne kemi si maturantë. Unë dua të vazhdoj informatikën dhe e kam të domosdoshme të kem njohuri të mjaftueshme në matematikë dhe fizikë, njohuri që nuk mund t’i marr dot në klasë”, shprehet Ina, nxënëse e një gjimnazi në Tiranë.
    Ky është një fragment i marrë nga artikulli i një gazete të përditshme, e cila denoncon hapur këtë realitet.
  • Të mësuarit online – trendi i kohëve moderne
    Në të gjithë botën, nxënësit dhe studentët po shfrytëzojnë gjithmonë e më shumë lehtësirat që të krijon zhvillimi i teknologjisë, për të mësuar në mënyrë efektive dhe të shpejtë nga shtëpitë e tyre.
    Pse të mos i ofrohet kjo mundësi dhe gjimnazistëve shqiptarë?