Kush Jemi Ne

Albion

Albion Bylykbashi

Përshëndetje. Unë jam Albion Bylykbashi, ideatori i projektit “Gjimnazistet.al” dhe njëkohësisht realizuesi i video-regjistrimeve të mësimeve të lëndës së matematikës

Me interes te vecantë për matematikën dhe fizikën, pas përfundimit të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, ndoqa studimet në degën e Inxhinierisë së Telekomunikacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Më pas, pata mundësinë të studioja Menaxhim me specializim në Business Analytics me bursë të plotë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Aktualisht punoj në kompaninë Vodafone Albania ne pozicionin e analistit të të dhënave, ku nëpërmjet metodave të avancuara të matematikës dhe informatikës, mundohem të nxjerr konkluzione mbi sjelljen e segmenteve të caktuara të bazës së klientëve dhe përpiqem ta parashikoj atë. Gjithashtu jam i angazhuar në organizimin e kurseve private për maturantë dhe studentë të Universitetit Politeknik. Mësimdhënia është një nga pasionet e mia më të mëdha.

Të mësuarit online është padyshim një nga arritjet më të mëdha teknologjike të këtij shekulli. Njohuritë e fituara online, personalisht i kam përdorur për të gjetur punë të mirëpaguara dhe që mbi të gjitha i bëja me qejf e që më motivonin të rritesha cdo ditë personalisht e profesionalisht. Per këtë arsye, punova së bashku me Eridin, Eltjanën dhe Xhoanën që të krijonim “Gjimnazistet.al”: një projekt online, që i jep cilitdo gjimnazist që ka akses në internet, mundësinë të kuptojë me themel matematikën dhe të ushtrohet me 6-9 ushtrime për secilin mësim, nga qetësia e shtëpisë, sa herë në ditë/javë të ketë nevojë.

Jemi të lumtur që mësimet e “Gjimnazistët.al” ndiqen jo vetëm nga gjimnazistë të Shqipërisë, por edhe nga ata të Kosovës dhe të tjerë që jetojnë në diasporë, kryesisht në Angli.

Erid

Erid Bejko

Përshëndetje. Unë jam Erid Bejko, drejtuesi teknik i projektit “Gjimnazistet.al”.

Pas përfundimit të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, duke qenë i apasionuar pas kompjuterit dhe gjithçkaje në lidhje me të, në vitin 2010 vendosa të ndjek studimet në degën Inxhinieri Informatike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, duke përfunduar pas pesë viteve studim, ciklet Bachelor dhe Master i Shkencave.
Kjo degë më dha një përgatitje të gjithanshme jo vetëm në pjesën e zhvillimit software, por edhe në njohuri themelore të fushës së teknologjisë së informacionit. Fokusi im në këto studime ka qenë fusha e Inxhinierisë së Softit, duke qenë një fushë mjaft e gjerë dhe që vë maksimalisht në punë logjikën.
Për këtë arsye i kam kushtuar një vëmendje të vecantë certifikimit të njohurive të mia, duke mbrojtur deri më tani një certificate të njohur ndërkombëtarisht nga Microsoft në fushën e programimit në web. Duke filluar nga viti i parë i studimeve master e në vazhdim punoj si programues në një kompani të huaj të fokusuar në zhvillimin e aplikacioneve në rang global.

Kur Albioni më tregoi idenë e “Gjimnazistet.al”, iu përgjigja menjëherë pozitivisht ftesës së tij për të qënë pjesë e implementimit të këtij projekti. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një iniciative të tillë, e para e këtij lloji në Shqipëri dhe që do t’i ofrojë mundësi të gjithë gjimnazistëve të Shqipërisë mundësinë për të patur një formim solid në lëndën e matematikës dhe të fizikës, nga rehatia e shtëpisë së tyre.

Eltjana

Eltjana Plaku

Unë jam Eltjana Plaku, anëtarja e tretë e stafit të “Gjimnazistet.al”.

Roli im në këtë projekt konsiston në aspektin e marketingut dhe mbajtjes së një komunikimi të vazhdueshëm me gjimnazistët në rrjetet sociale dhe në postën tonë elektronike. Aktualisht jam e angazhuar me kohë të plotë si konsulente për monitorimin dhe matjen e rezultateve pranë organizatës Swisscontact. Jam diplomuar në nivelin master pranë Universitetit të Torinos dhe atij të Paris 7 për Politika Ekonomike, kurse studimet bachelor i kam kryer në degën Financë në Universitetin e Tiranës. Kam 5 vite eksperiencë pune në sektorin privat, në fushën e shërbimeve financiare. Fushat e interesit tim profesional janë arsimi, inovacioni dhe sipërmarrja.

Xhoana

Xhoana Laska

Unë jam Xhoana Laska, pjesë e skuadrës së “Gjimnazistet.al”.

Kontributi im në këtë projekt konsiston në përzgjedhjen e ushtrimeve të videove në lëndën e Matematikës, si edhe në komunikimin me nxënësit për cështje të lidhura me portalin. Përsa i përket edukimit tim, unë kam mbaruar studimet Bachelor në degën Matematikë pranë Universitetit të Tiranës, ku u vlerësova me çmimin “Studente e shkëlqyer në një fushë studimi me prioritet të lartë” në vitin 2015. Më pas, ndoqa Master Shkencor në Matematikë, ku u thellova akoma më shumë në atë që njihet si matematikë teorike. Në periudhën e gjimnazit, shpeshherë, kisha paqartësi rreth disa koncepteve në matematikë, prandaj uroj që shpjegimet në këtë portal të jenë sa më të qarta dhe të kuptueshme për të gjithë gjimnazistët, duke iu përgjigjur kështu çdo pyetje që atyre mund t’iu lindë gjatë mësimit të kapitujve.